7 Vite, 90 anëtarë të përzgjedhur.

Lidhja është një bashkësi private për zonja e zotërinj të përkushtuar ndaj përsosjes së karakterit dhe intelektit.

Qëllimi i saj është të ndërlidhë individë të spikatur në shoqëri, që ndajnë vlera themelore si familja, puna dhe kombi.

Duke u ofruar një forum privat e të sigurt për diskutime të thelluara në çështje të interesit publik, ajo përpiqet të stimulojë mendimin kritik, si edhe të lëvrojë artin e të jetuarit së bashku.

Lidhja është jofitimprurëse, laike dhe politikisht neutrale.

Anëtarësia përbëhet nga individë të spikatur nga sipërmarrja, biznesi, teknologjia, shkencat, artet dhe sektori publik. Përmbajtja e aktivitetit të Lidhjes është private dhe e aksesueshme vetëm nga anëtarët e saj.

*.*.*

QELLIMET E LIDHJES

Të zbulojë individë të spikatur në shoqëri që përputhen me vlerat themelore të bashkësisë, sikundër janë besimi te familja, puna, dhe zhvillimi personal i vijueshëm.

Të krijojë dhe nxisë një frymë vëllazërie midis Anëtarësisë.

Të frymëzojë kërkimin e së vërtetës nëpërmjet arsyes dhe mirësisë.

Të inkurajojë krijimin e një rrjeti të gjerë lidhjesh midis anëtarëve në funksion të fuqizimit të bashkësisë.

Të promovojë standardet më të larta të etikës në qytetari, punë publike dhe sipërmarrje private.

Të përqafojë pa mëdyshje identitetin dhe vokacionin europian të kombit shqiptar.

Të angazhohet në nisma domethënëse në Arsim, Mjedis, Shëndet, Kulturë dhe Inovacion.Të angazhohet në nisma domethënëse në Arsim, Shëndet, Kulturë dhe Inovacion.

Të ngulmojë në zhvillimin personal të çdo anëtari në përpjekje të vijueshme për përsosjen e karakterit dhe intelektit.

Të mundësojë hapësirat e nevojshme për argëtim në kërkim të frymës së grupit.

Të ndalojë mundësinë që statusi i ndryshëm financiar i anëtarëve të bëhet barrierë pjesëmarrjeje.

Të ruajë privatësinë e aktivitetit të Lidhjes dhe qasjen e saj ekskluzive.

Të sigurojë barazinë e mundësive midis anëtarëve dhe mirëadministrimin e veprimtarisë së organizatës nëpërmjet mbikëqyrjes së aktivitetit të Dhomës së Epërme dhe të Dhomave të Ndërlidhura.

Të garantojë transparencë, kolegjialitet dhe meritokraci, si tre themele thelbësore për ndërtimin e një bashkësie të shëndetshme.

Të ofrojë një forum privat dhe të sigurtë, ku mbretërojnë liria e mendimit dhe e fjalës, me synimin për të garantuar një diskutim të pasur dhe të thelluar në të gjitha çështjet me interes publik.

Të lëvrojë artin e të jetuarit së bashku në frymën e zakoneve të mira të kombeve të qytetëruara dhe të trashëgimisë së vyer të Rilindasve dhe Etërve të Kombit.

*.*.*

DOKTRINA

1. Dëgjojmë për të kuptuar, jo thjesht për t'u përgjigjur.

2. Të mirën e bashkësisë e vendosim mbi egon e individit.

3. Japim përpara se të kërkojmë.

4. Presim, kemi durim.

5. Vlerën e gjejmë te vepra, jo te shfaqja.

6. E duam suksesin e tjetrit.

7. Besojmë, sërish, edhe kur zhgënjehemi.

8. Peshën e fjalës nuk e masim me postin apo pasurinë jashtë.

9. Punojmë me nder që të kemi shpresë.

10. Jemi mirënjohës për atë që kemi.

*.*.*

Nëse ndani të njejtat vlera dhe doni të mësoni më shumë mbi Lidhjen apo të anëtarësoheni, ju lutemi të na lini kontaktet tuaja:

Ju do të kontaktoheni nga Administrata e Lidhjes.

Hilton Garden Inn Tirana
Bulevardi Gjergj Fishta 146, 1001
Salla Private “Pajtim Selmani”